Historia e shqiptarit që u dashurua me vajzën e kapos së mafias italiane në New York
Shqiptari John Alite në kohën e arrestimit të parë
Alite (ndoshta një amerikano-italianizim i mbiemrit Haliti) ishte djali i një taksisti, emigrant shqiptar në Queens, New York.
Kur ishte fare i ri në moshë, një xhaxha i tij e mori një ditë në një nga klubet private të bixhozit në Bronx, ku u njoh me mafiozë italo-amerikanë dhe u bë mik i ngushtë me John Angelo Gotti-n. Ky i fundit, ishte djali i një prej kryemafiozëve më famëkeqë në New York, John J Gotti, kryetari i Familjes Gambino.
Të dy të rinjtë i hynë bashkë rrugës së kriminalitetit dhe në vitet 1980 bënë se bashku një numër aksionesh që u sollën qindra mijëra dollarë. Alite u bë si djalë shtëpie në familjen Gotti dhe u bë një njeri me shumë rëndësi që në moshë të njomë në organizatën mafioze të Gambino. Mirëpo, duke qenë se ishte me origjinë shqiptare dhe jo italiane, ai nuk mund të bëhej zyrtarisht një prej kapove të mafies.
Kur në vitin 1992, John J Gotti u burgos, ai vendosi që djali i tij të merrte në duar pushtetin e Familjes Gambino. Kjo e fuqizoi shumë shqiptarin që ishte mik me Gottin Junior.
Junior kishte qenë dëshmitari në dasmën e Alites, po edhe ky i fundit e kishte zgjedhur ditën e dasmës në Ditën e Shën Valentinit sepse ishte ditëlindja e Juniorit.
Mirëpo, shqiptari nga Queens kishte një pikë të dobët. Motrën e shokut të tij, Victoria, vajzën e bosit të madh. Të dy kishin një lidhje të fshehtë dashurie por që nuk guxonin ta bënin të njohur sepse ajo ishte martuar me një tjetër mafioz, Carmine Agnello dhe nuk e dinin se si mund të reagonte Familja. Mes mafiozëve nderi i familjes ishte shumë i rëndësishëm.
Vajza e bossit
Mirëpo dikur në mesin e viteve 1990, Alite sulmoi bashkëshortin e Victorias, duke e akuzuar se kishte rrahur të shoqen. U krijua një situatë e rëndë dhe paqja u arrit duke e “syrgjynosur” Aliten larg nga New York-u, në Florida.
Dashuria për vajzën e bosit të vjetër dhe motrën e bosit të ri i dha fund kështu karrierës së shqiptarit në mafien italo-amerikane.
Jeta e John Alites është si një film. Ai u arrestua më vonë në Florida, u arratis në Brazil, u ekstradua mbrapsht në SHBA, pranoi të bashkëpunonte kundër mikut të tij të rinisë, John Angello Gotti-t dhe sapo ka dalë nga burgu pas 10 vitesh.
Ai jeton tani në New Jersey dhe ka botuar biografinë ku lan hesapet me miqtë/armiqtë e kohës së rinisë.
Në qendër të talljes dhe kritikës është ish-shoku i tij i ngushtë, Gotti Junior. Alite flet me një lloj respekti për Gottin e vjetër si një mafioz të zotin që arriti gjithçka me forcat e veta. U bë milioner i fuqishëm ndonëse ishte lindur në një familje të varfër.
Ndryshe nga ai, i biri, nuk kishte as zgjuarsinë e as trimërinë e babait. Alite tregon sesi shoku i tij kishte zakonin e çmendur që shuante cigare në trupin e vet. Ishte njeri me probleme të tmerrshme vetëbesimi.
“Ai është si Kim Jong-un, një fëmijë i përkëdhelur që përfitonte në kurriz të shokëve të tij nga që ishte djali i një babai të fuqishëm”, shkruan Alite në librin e tij.
Comments
Post a Comment